Wednesday, February 12, 2014

🟢 ZOGU I BAJGËS nga Kol Shkodrani

ZOGU I BAJGËS

Na ish një here një zog i vogël i cili i ishte qepur një lope dhe e shante përditë me sa i hante sqepi dhe truri tij sa një kokërr mel, duke thënë se lopa ish e shëmtuar, se bënte bajga dhe nuk fluturonte dot në qiell. Lopa si lopa e merrte shtruar dhe i duronte qesënditë e mikut të vet të vogël.
Një ditë ndaloi në një lendinë ju afrua lopës laramane e nisi të tallej me të:
- Ah, moj lopë budallaqe. Lodhe shumë e bën qumësht për të tjerët. Çfarë të duhet ty moj kokë poçe e mendje karroqe,  të besh qumësht për njerëzinë.
Lopa e mërzitur nga shpotia u kthye e i tha:
- Po unë nuk jam zog si ty të bëj vetëm glasa në kokat e njerëzve.
Zogu në lëndinë qorrollisej e merrte krahë edhe prej ca zogjve të tjerë diku nëpër ferra e driza.
Nisi të fryje erë. Retë e zunë diellin. Zogu zgjati kokën të shihte çfarë po ndodhte në qiell. Po në qiell kishte dale fajkoi e krahët e tij i bënin hije zogut që grindej. E mjera lope, u drithërua tek shihte herë grabitqarin në qiell tek vinte rrotull dhe herë zogun e vogël mendjelehte që zgjatej e krekosej.
Kur vuri re se fajkoi po ulej vërtik, lopa ju afrua zogut dhe plluq i lëshoi një të pabërë përsipër. Skifteri kur e pa se në vend të zogut tashmë ishte veç një kulaç bajge në lëndinë, që kundërmonte për ibret, mori të ngrihej serish lart në qiell. At botë Zogu i vogël mendjelehtë, aty poshtë bajgës së freskët u shpupurish e tha:
-   Ah moj lope budallaqe. Edhe këtë më bëre.... moj dhjeramane!
Si e shau lopën, brofi përpjetë e nxori kokën sipër bajgës. Fajkoi e vuri re lëvizjen dhe frrap e mbërtheu të mjerin zog.
Lopa zemërmirë u përlot për zogun, ani pse ai e kishte sharë. Pastaj i hipi marazi e ju kthye atij që ishte mbërthyer nga kthetrat e Fajkoit dhe i shpërndaheshin puplat në erë:
- Po të kam thënë sa herë, mor miku im i vogël gërnjar, të kam thënë, po ti s'më dëgjove kurrë... "Kush të do, të dhjet e...kur je i dhjerë, mos e ngre kokën".  
Se mos vetëm mendjelehti Zogu i bajgës nuk i dëgjon fjalët e miqve. Ka dhe të tjerë plot që pëlqejnë vetëm mendjen e vet. Plot ka.
Përralla në lesh e shëndeti prej nesh.

© Kol Shkodrani
Urtësira & Ultësira.