Monday, February 20, 2017

Kush e ka nanën ma të bukur - nga Kol Shkodrani



KUSH E KA NANËN MA TË BUKUR

Nga KOL SHKODRANI

Mbaj mend diç nga femijëria në rrugën tonë Badra. Kështu i thonin edhe si rrugë edhe si lagje. Ndjehej fatkeq ai fëmijë që e kishte nënën më të bukur se shokët e vet. I shkreti, rrinte si fajtor se ja shihnin nanën me lakmi të gjithë burrat e lagjes. Por edhe ne fëmijët, të pa paditur në ca punë të rriturve që bëheshin natën e molloiseshin ditën, edhe ne shihnim me kureshtje. Ne të vegjlit, si lepurushë, hapnin sytë kush po vjen e kush po shkon....
- Ja,- i thonim shokut tonë,- po kalon nana jote.
Dhe vraponim si harabela kush me parë ti qëndronte pranë duke dashur ti shërbenim nanës se shokut. Tani ju e merrni me mend se pse. Të vegjël të vegjël po na pëlqenin të bukurat. Dhe menjeherë, pronto sinjora:
- Zonja Marie , a ta çoj unë byrekun tënd në furre? Sepse Maria e bukur nuk e dërgonte asnjëherë të birin tek furrta ngaqë e rriste me pekule.
Zonja e bukur Marie na shikonte dhe zgjidhte njërin prej nesh. Eh, sa të lumtur që ishim. Ishte lumturia me e madhe në botë të kishe rastin ti prekje byrekun më të bukurës së lagjes "Badra". Pa, për ta hëngër, nuk qe e mundur se ja hante i shoqi, Rrok Kuqali, një mekanik biçikletash, i cili e merrte byrekun tek furra e Muhos, kur linte punën e bënte pushimin e drekës.
Se si ishin lidhur në jetë, një grua aq e bukur si Maria me një shëmtaraq si Rrok peshku i kuq, askush nuk i jepte shpjegim. E pikërisht me Marien, yllin e bukurisë së lagjes "Badra", para të cilës gjunjëzoheshin të gjithë. Edhe pleqtë. Por edhe ne fëmijëve sikur na përpinte bukuria e saj, ajo fytyre e ëmbël, e pastër, e qeshur, ato sy e vetulla të pangjarë me asnjë vajze a grua që kishim parë në jetën tonë.
Kjo gjë ndodhte thuaj përditë me ne fëmijët e rrugës "Badra". Ne ndjeheshim të lumtur, ndërsa i shkreti shoku ynë, çun mamaje, mblidhej shuk.
Tek e shihja ashtu, thoja me vete, shyqyr që nuk kam fatin e tij. Shyqyr-sheqer që kjo nana ime nuk është e bukur. Krenar e i lumtur se e kisha nanën të pabukur. Kur kalonte rrugës asnjë mashkull nuk ja hidhte sytë. Apo nuk është e sertë ajo, mendoja, nuk bëhej shaka me nanën time. Edhe për sërtësinë e mos bukurinë e saj ndjehesha krenar dhe i lumtur. Aq më tepër se megjithëse nanën nuk e kam pasur të bukur, përkundrazi babën e kam pasur fort të hijshëm. Burrë zotni me kobure e mustaqe. Dhe kur dilte në rrugë baba im, gratë e lagjes dilnin e shihnin nga dritaret e i lëshonin një zë:
- Nadja mirë zotni Nik Mustaku, - dhe ofshanin.
Ma shumë prej të gjithave ofshante nana e shokut tim,  Maria e bukur...
Nuk e di a shkuan në atë bote me pishman im atë dhe Maria, por di ca thënie që të çojnë për kah hullia e të vërtetave alegorike:
Molla bie nën mollë e dardhë nën dardhë.
Tenxherja vjen e nga vjen dhe gjen kapakun.
Parja tek parja dhe... e bukura të bukurin kërkon.
Aq më tepër kur e bukura quhet Marie...

© Kol Shkodrani 2009